AAK plotë rezerva për Komisionin e ekspertëve ndërkombëtarë për Demarkacionin

0
Ndaje:

Ramush-Haradinaj-Foto-Bujar-Tërstena-650x3582-300x165

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka plotë dyshime për Komisionin e themeluar nga Presidentja Jahjaga që do ta vlerësojë demarkacionin me Malin e Zi e ku janë ftuar 3 ekspertë ndërkombëtarë. AAK  ka rezerva edhe rreth dokumentave që do të përdorë Komisioni për vlerësimin e kufirit.  Zëdhënësi i AAK’së Muharrem Nitaj thotë se në Komision do të duhej të ishin edhe ekspertët vendës në mënyrë që versionin final i demarkacionit të ratifikohej në Kuvend

Ekspertët ndërkombëtarë nga SHBA’ja, Gjermania dhe Britania e Madhe, nga sot kanë filluar punën për vlerësimin e procesit të demarkacionit të vendit tonë me Malin e Zi.

Të thirrur ad-hoc nga e para e vendit në largim, Atifete Jahjaga, komisioni i përbërë nga tre anëtarë do ta vlerësojë gjithë procesin e përcaktimit të vijës kufitare mes vendeve fqinje, dhe do të japë vlerësime nëse është kryer në mënyrë ligjore dhe në procedurë të rregullt, nënshkrimi i demarkacionit i cili u bë në Vjenë, verën e kaluar.

Njoftimi për këtë është bërë të martën nga Presidentja Jahjaga e cila ka bërë me dije se tre ekspertët do të dalin edhe në terren.

Kryeministri Isa Mustafa, ndërkaq ka thënë në Emisionin “Komiteti” të Gazetës Express se qeveria do të rrijë anash.

“Ne si qeveri nuk do të kyçemi, do të rrimë anash. Ky komisioni vlerëson edhe punen tonë, prandaj ne nuk do të kyçemi në këtë proces”, tregoi tutje kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa.

Sipas tij, ekspertët e huaj do të marrin edhe të gjitha vërejtjet që ka dhënë opozita ose ekspertët vendorë në mënyrë që ti kenë edhe ato parasysh se a është procesi në rregull dhe a ëshë vija kufitare e njëjta në kohen kur ka ndërhyrë NATO në Kosovë.

Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e parë dhe e cila më së shumti ka ngritur zërin ndaj marrëveshjes për Demarkacion nuk ka marrë akoma asgjë zyrtare për krijimin e komisionit të eksperteve ndërkombëtarë.

Zyrtarë të partisë e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, që edhe elektoratin e saj e ka të koncentruar në zonën e Dukagjinit, ku kalon vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi, thonë se akoma nuk janë informuar se cili do të jetë roli i këtij Komisioni, e se as kush do të marrë pjesë në të dhe cila do të jetë metodologjia e punës së tij.

Megjithatë, një përpjekje për tu krijuar një komision të tillë, AAK’ja e mirëpret, megjithëse kanë rezervat e tyre.

“Kjo, gjithsesi është një lëvizje pozitive, por ne druajmë se nëse ky Komision nuk i ka të saktësuara të gjitha kompetencat dhe metodologjinë e punës dhe dokumentat mbi të cilat do ta “vlerësojë” demarkacionin e Kufirit me Maqlin e zi, puna e tij do të jetë një improvizim”, i tha Gazetës Express, të martën, zëdhënësi i partisë, Muharrem Nitaj.

Tutje, sipas zëdhënësi të AAK’së, kjo parti ka dilema edhe në çështjen se kush do ta mbikëqyrë punën e këtij Komisioni.

“Nëse punën e tij do ta mbikqyrë qeveria aktuale, e cila e ka shkaktuar problemin, ne dyshojmë se kjo është e mundur”, tha ai.

Nitaj, tregon për insistimin e AAK’së se marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duhet të behët nga e para dhe të jetë më transparent.

“Ai duhet të bëhet nga një komision kredibil e profesional, i cili mund të jetë edhe i përzier(miks), ku do të ishin edhe vendorët edhe ndërkombëtarët dhe natyrisht versioni final të ratifikohet në Kuvendin e ardhshëm. çdo veprim tjetër ne e konsiderojmë improvizim”, përfundoi zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj.

Marrëveshja e Demarkacionit e edhe ajo Asociacionit të Komunave Serbe, të dyja të nënshkruara në Bruksel, gushtin e 2014’ës, u bënë ‘mollë sherri’ dhe përplasjesh të forta mes pozitës dhe opozitës në Kosovës. Si pasojë e kundërshtimit të këtyre dy marrëveshje, opozita kosovare, nga shtatori, kur ka nisur stinori vjeshtori i Kuvendit të Kosovës e ka mbajtur të bllokuar punën e legjislativit, me metoda nga më të ndryshmet. Përfshirë edhe ato të dhunshmet./Botapress/

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!