Arrestimi i deputetëve të VV-së për gazin lotsjellës dhe “amnistia” për ata të AAK-së

0
Ndaje:

Arrestimi i Albin Kurtit

Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e mbajtur gjatë ditës së djeshme, ka vendosur që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, të mbesin në paraburgim.

Kurti dhe Kadaj-Bujupi, bashkë me deputetët Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët po mbrohen në liri, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Trupit Gjykues në procesin gjyqësor kundër katër deputetëve të Vetëvendosjes, Beqir Kalludra, ka njoftuar se trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e palëve mbrojtëse, duke mbetur në fuqi aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit për deputetët Kurti dhe Kadaj-Bujupi.

Njohës të çështjeve ligjore dhe ekspertët e sigurisë, duke komentuar arrestimin dhe paraburgimin e deputetëve të VV-së, kanë thënë se ky veprim ishte i panevojshëm.

Ata konsiderojnë se skenat e tilla të arrestimit të deputetëve, kanë mundur të evitohen.

Tahiri: Bashkë me deputetët e VV-së, vepruan edhe ata të AAK-së

Duke folur në lidhje me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka vlerësuar se arrestimi i deputetëve për vepra politike, nuk i bën nder shtetit të Kosovës.

Image

Ramush Tahiri

FOTO GALERI

Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se po bëhen çasje selektive, pasi bashkë me deputetët e Vetëvendosjes, dikur vepronin si opozitë edhe ata të AAK-së.

Ai ka theksuar se paraburgimi i deputetëve, është i panevojshëm dhe nuk përputhet me veprën.

“Rasti i arrestimit të deputetëve të Vetëvendosjes për vepra politike dhe për aktivitetet brenda institucioneve, nuk i bënë nder shtetit të Kosovës dhe proceseve demokratike. Çasjet selektive, sepse atëherë edhe AAK dhe Vetëvendosje në këto veprime që po cilësohen si të jashtëligjshme ishin bashkë, ndërsa tash po penalizohen vetëm deputetët e Vetëvendosjes, pra vetëm opozitarët. Paraburgimi prej tridhjetë ditësh është i panevojshëm dhe jo në përputhshmëri me veprën. Deputetët me mandat dhe me imunitet refuzuan të paraqiten përpara Gjykatës, policia në bazë të kërkesës e urdhërit, e ka për obligim apo detyrë t’i sjellë përpara gjykatës dhe këtë punë ka mundur ta bëjë”, është shprehur Tahiri.

Sipas politologut Tahiri, shkaku i protestës tashmë është jashtë objektivit, pasi Qeveria, e ka arsyetuar plotësisht veprimin e deputetëve në Kuvend.

“Krejt e panevojshme është tash të paraburgosen për një muaj me kinse vepër e kundërshtimit të arrestimit ose për të qenë në dispozicion të gjykatës në ditën që caktohet seanca gjyqësore për të ashtuquajturin rastin e gazsjellësit në Kuvend. Aq më parë që shkaku i protestës tash është jashtë objektivit, sepse Qeveria e ka shkarkuar Komisionin e Demarkacionit dhe zyrtarisht ka deklaruar se kufiri i shtetit të Kosovës, në drejtim të Malit të Zi është në Kullë dhe në Zhlep…pra, e ka arsyetuar plotësisht veprimin e deputetëve atëherë në Kuvend”, ka theksuar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ligjore Blerim Burjani, e ka vlerësuar si të domosdoshëm arrestimin e deputetëve për gazin lotsjellës, por ka theksuar se skenat e arrestimit janë të dhimbshme.

Image

Blerim Burjani

FOTO GALERI

Burjani: Gjyqësori të mos përzihet me politikën

Ai ka thënë për “Bota sot”, gjyqësori dhe prokuroria, nuk duhet të ndikohen nga politika e përditshme.

“Arrestimi i deputetëve të VV-së, është një veprim i domosdoshëm ligjor, por skenat duken të jenë të dhimbshme. Kuptohet se është jo e mirë pamja nga ngjarja e arrestimit, mirëpo kjo lëvizje gjykatën e kupton si politikë, e jo si rend dhe ligj të pavarur nga politika. Çdo veprim gjyqësor i përzier me politikën, është i dëmshëm për shtetin, liritë dhe të drejtat themelore, pra gjyqësia dhe prokuroria nuk guxojnë të kenë asnjë ndikim politik apo politika e përditshme. Pra, këto gjëra janë të ndara”, është shprehur Burjani.

Eksperti i sigurisë: Situatë e tensionuar në vend

E eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka folur për situatën e sigurisë pas arrestimit të deputetëve të VV-së, duke e cilësuar atë si të tensionuar me kërcënim të eskalimit në përmasa të mëdha.

Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në situata të tilla, mund të çrregullohet situata e sigurisë së shtetit, duke vënë në dyshim edhe funksionimin e shtetit.

“Situata e krijuar javët e fundit, mund të llogaritet si situatë e tensionuar me kërcënim të eskalimit në përmasa të madha, e cila bie në dyshim funksionimin e shtetit. Në një qeverisje të brishtë, sikur që është kjo qeveri me vetëm 61 deputetë, kur dihet që pjesë përbërëse është edhe Lista serbe, sidomos që tani një pjesë e madhe e qeverisë, deri para pak muajve ishin bashkë me VV-në, në opozitë dhe ishin bashkëpjesëmarrës në hedhjen e gazit lotsjellës, tani kur ende nuk kanë përfunduar zgjedhjet në tërësi dhe posa u krye balotazhi, në situata të tilla, kur mund të çrregullohet situata e sigurisë së shtetit, është e kuptueshme që ka mundur të prolongohet burgosja e deputetëve të VV-së, në mënyrën se si janë burgosur. Duhet të kihet parasysh se VV-ja, para pak muajve doli si partia më e suksesshme në zgjedhjet qendrore si parti e parë, dhe pikërisht Albin Kurti, mori vota më së shumti dhe tani pikërisht ky me dy të tjerë të burgoset? Burgosja e këtyre, a mos po i kontribuon situatës që të eskalojë çështja e rendit dhe e sigurisë?”, ka thënë Tërnava.

Image

Hajrullah Tërnava

FOTO GALERI

Eksperti i sigurisë ka shtuar se të gjithë qytetarët duhet të përgjigjen për veprat e veta të kryera, por, sipas tij, nëse një veprim i pamatur e çon vendin në situatë të jashtëzakonshme si në demonstrata, duhet që gjykimet të prolongohen për kohëra më të qeta.

“Është e kuptueshme se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në çdo kohë, duhet të funksionojnë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, iu nënshtrohen ligjshmërisë së vendit. Por, situata në të cilën tani gjendet Kosova, ishte dashur që të gjendet një kohë më e përshtatshme për jetësimin e këtyre dënimeve të gjyqësisë. Normal është që gjithsesi duhet t’i përmbahemi kauzës se gjithkush duhet të përgjigjet për veprat e veta të kryera dhe se të gjithë qytetarët para ligjit, duhet të jenë të barabartë, por nëse një veprim i pa matur mirë e çon vendin në situata të jashtëzakonshme, sikur që janë demonstratat e dhunshme, ishte dashur që në këtë pikëpamje të jemi më elastik dhe ta vlerësojmë gjendjen e nëse ka nevojë, këto gjykime të prolongohen për kohëra më të qeta”, ka vlerësuar Hajrullah Tërnava./BS

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!