Delawie: Kosova duhet të gjejë se çka dëshiron të fitojë nga procesi i dialogut me Serbinë

0
Ndaje:
Ambasadori amerikan Greg Delawie, në Rubikon të KTV-së, ka folur për zhvillimet e djeshme në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

KTV: Z. Ambasador, mirë se vini në Rubikon.

Ambasadori Delawie: Më vjen shumë mirë që jam këtu, Adriatik. Ju faleminderit shumë.

KTV: Dje në Bruksel u mbajt edhe një raund i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për herë të parë ishte një delegacion më i madh negociues nga Kosova. Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës, pas takimit me Vuçiqin tha se ky ishte takimi më i vështirë që e kanë pasur prej fillimit të dialogut. Çka mund prisni ju nga kjo e ashtuquajtura ‘fazë e fundit’?

Ambasadori Delawie:Të gjithë kemi punuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë. Qeveria ime sigurisht se e ka mbështetur këtë për një kohë të gjatë. Mendoj se është pak herët që të kuptohet saktë çka të presim sepse mendoj se në Kosovë muajve të fundit ka pasur bisedime shumë të mira lidhur me ate se çka dëshiron Kosova të fitojë nga dialogu; cilat janë qëllimet e saj. Kjo është pozitive. Diskutimi i shtuar rreth të ardhmes së marrëdhënieve me Serbinë është shumë pozitiv. Por, mendoj se iu takon qytetarëve të Kosovës, politikanëve të Kosovës që të përpiqen të bëhen bashkë dhe të gjejnë se çka dëshiron Kosova të fitojë nga i gjithë ky proces. Cilat janë qëllimet e Kosovës? Dhe më me dëshirë ua lë këtë qytetarëve të Kosovës që të vendosin se sa që unë ta gjej çka është kjo apo t’ju them se cili mendoj se duhet të jetë pozicioni juaj.

KTV: A nuk e dimë të gjithë se çka do populli i Kosovës? Kosova ka shpallur pavarësinë. Së fundmie festuam 10 vjetorin e pavarësisë. Pra, qëllimi është që Serbia ta njohë këtë pavarësi.

Ambasadori Delawie: Mendoj se me gjasë ka më shumë këtu se veç kjo. Njerëzit duhet t’i kuptojnë se cilat janë qëllimet specifike; cilat janë qëllimet më të gjera dhe që të ndihmojnë në hartimin e pozicionit negociues. Natyrisht, shpresoj që të gjitha partitë politike do të marrin pjesë në këtë. Më erdhi mirë kur e pashë që të gjitha partitë qeverisëse u duk sikur shkuan së bashku në Bruksel dje për këto biseda me BE-në. Kjo ishte pozitive. Por, mendoj se duhet të ketë diskutim më të gjerë në Kosovë, konsultim më i gjerë i partive politike, jo vetëm i partive qeveritare. Mendoj se është me rëndësi për të gjithë që të jenë në lojë. Ndoshta është pak e tepërt të kërkohet konsensusi, por mendoj se diskutimet dhe qëllimet janë shumë të rëndësishme.

KTV: Çka mendoni me “të gjithë të jenë në lojë”? Që të kemi një ekip a delegacion më të madh negociues apo vetëm që të kemi konsensus mbi platformën? Sepse deri tash kemi parës se opozita po ngurron që ta shohë Thaçin si negociatorin kryesor. A duhet të ketë një ekip uniteti?

Ambasadori Delawie: Shihni, nuk do të them saktë se çka duhet të ndodhë sepse diçka e tillë duhet të zhvillohet në mënyrë organike në hapësirën politike të Kosovës. Sigurisht që mendoj se pozicioni i Kosovës në diskutime me Serbinë do të jetë më i mirë nëse partitë politike opozitare marrin pjesë në bisedime dhe punojnë në caktimin e qëllimeve të Kosovës. Sa i përket asaj se kush është në krye të kësaj për Kosovën, e dini, nuk më takon mua të vendosë apo edhe të rekomandoj “Kush”, si dhe mendoj se në këtë çast më e rëndësishme është Çka se sa Kush. Çka dëshiron Kosova të nxjerrë nga kjo; a munden partitë të pajtohen, ndoshta jo për gjithçka, por për disa gjëra që do të duhej të jenë elemente të pozicionit të Kosovës, dhe mendoj se të gjithë duhet të hyjnë në lojë. Partitë qeveritare duhet të vazhdojnë të përpiqen për të gjetur cili është pozicioni i tyre. Partitë opozitare do të duhej të jenë në këtë, gjithashtu. Kosova do të jetë në pozicion më të fuqishëm nëse të gjithë marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes rreth asaj se cilat do të duhej të jenë qëllimete Kosovës./KI

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!