Ish-trajneri boshnjak i Vokrrit s’mund të vijë në varrimin e tij shkaku i vizës, i dërgon familjes telegram emocional ngushëllimi

0
Ndaje:

Me rastin e vdekjes së kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ish-trajneri i tij në Prishtinë, Fuad Muzuroviq, e ka kujtuar me dhimbje.

“Ende jam i tronditur nga lajmi se na la. Nuk po mundem të besoj se kaq befasishëm luajti ndeshjen e fundit. Nga momenti kur kam ardhur që të jem trajner i FC Prishtinës, para 35 vjetësh dhe nga takimi ynë i parë, e dija se ishit i destinuar për gjëra të mëdha. Atëherë ishe lojtar i ri me lojën dhe golat e të cilit Prishtina hyri në klasën elitë të futbollit jugosllav”, tha Muzuroviq, raporton “klik.ba”.

Ish-reprezentuesi i Bosnjë e Hercegovinës shton se pas disa muajsh të punës në ekipin e Prishtinës, i kishte sugjeruar elektorit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Todor “Toza” Veselinoviq që ta ftojë në reprezentacionin A, gjë të cilën ai atëherë nuk e bëri, por Vokrri, megjithatë, pas disa vitesh e realizoi ëndrrën e tij sportive që të luajë për reprezentacionin A si lojtari i parë nga Kosova.

“Isha krenar në ty sepse e përfaqësove Kosovën tënde edhe si bartës i flamurit Olimpik në Koshevë me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore më 1984 në Sarajevën time të cilën e deshe me sinqeritet, sikurse edhe ajo ty. Kisha privilegjin që isha trajneri yt, por edhe privilegj edhe më të madh që të jemi miq. Ikja e një njeriu dhe sportisti kaq të madh është vërtet humbje për këtë fushë. E di, të kanë dashur e të kanë vlerësuar të gjithë, nga Vardari në Trigllav”, shkroi Muzuroviq në letrën e ngushëllimit, në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Vokrrit si pasojë e mos-marrjes së vizës, transmeton Koha.net.

Vokrri vdiq dje si pasojë e një sulmi në zemër. Varrimi i të ndjerit bëhet sot në orën 17:00 në varrezat e Prishtinës në Dragodan./KI

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!