Nga jeta si kameriere në moderatore, ja rrëfimi i Floriana Garos

0
Ndaje:

Një nga figurat e përzgjedhura në suplementin e gazetës “Shekulli” është ajo, e shumëpërfolura Floriana Garo. Delikatesa dhe shija e veçantë që ajo ka mund ta vihej re që në momentin që gjendeshe para zyrës së saj, me pak objekte por e mbushur plot. Ngjyra lejla mbizotëruese, e disa foto nga aktivitete e emisionit dhe jashtë tij. Diku qëndronte një trofe, që Garo e tregon me shumë dashuri, që e ka fituar ndërsa luante volejboll shumë vite më parë.

Floriana dhe volejbolli

Në fakt të flasësh për Garon ke disa pika stacioni, më duhet ta nis të flas për të kur ajo quhej volejbolliste e zonja. Ajo tregon se ndonëse ishte vetëm 13 apo 14 vjeç ishte në listën e volejbollisteve më të mira 30-vjeçare më të cilat ajo luante brenda dhe jashtë vendit. “Kam qenë një fëmijë që e doja shumë volejbollin. Kur luaja jepesha totalisht tek ai, madje për këtë kam marrë edhe një trofe. Gjithmonë kam luajtur me volejbollistet që ishin më të mëdha se unë, gati 30 vjeç. Më përzgjidhnin për ndeshje brenda dhe jashtë vendit pasi unë isha e zonja”, tregon Floriana.  Vajza e lindur në Durrës, nga është larguar në moshën 15 vjeçare për të studiuar për 8 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç është thënë edhe më parë ka qenë volejbolliste profesioniste, në fillim me skuadrën e “Teutës” dhe më pas me ekipet universitare në SHBA, ku edhe ka fituar kupa dhe tituj.

Jeta në USA

E më pas më duhet të ndalem në stacionin e saj të dytë që është jetesa në New York, Amerikë. Sa të lehtë apo të vështirë e pati Floriana kur u gjend përpara një bote të panjohur dhe vetëm 15 vjeç. “Në Amerikë unë jam larguar në moshën 15 vjeçare. Fillimisht e kam pasur të vështirë pasi unë vija nga një vend që ishte totalisht i mbyllur, shumë gjëra nuk i njihja. Më duhej edhe të punoja… Puna ime e parë ka qenë kamariere. Fillimisht ka qenë e vështirë  (hesht dhe qesh) pasi unë nuk dija të shërbeja. Më kujtohet kur një klient bëri një porosi xhek me akull unë nuk e dija se çfarë ishte, sepse në vendin tonë nuk kishte shërbime të tilla”, tha Floriana. Nga jetesa në New York tregon se atje krijoi një botë tjetër, pra u rrit më ato zakone që gjeti atje, u rrit me ato ndërtesat e mëdha dhe shijimin e  çdo momenti.

Ajo tregon se atje ka miq shumë të mirë me të cilët ruan miqësi akoma. “Jetesa në Amerikë ishte një rritje për mua, pasi unë atje u rrita, madje u rrita pa problemin e të thënurit të gjërave hapur apo të bërit hapur. Kam jetuar dhe shijuar çdo moment. Është një botë krejt tjetër…. Sot atje kam miq shumë të mirë më të cilët takohem shpesh”, rrëfen Garo. Ndërkohë në një moment të dytë jeta e saj merr rrugën për në Shqipëri, në vendin e saj, ku do ta prisnin surpriza të këndshme apo të pakëndshme. Edhe pse një arsye e fortë dashurie ishte shtysa për kthimin, mund të themi se për 10 vitet e fundit jeta për 29-vjeçaren kishte rezervuar jo vetëm një dashuri, por më shumë se aq. “Jo vetëm modë” prezantohet nga ajo për gati 5 vite dhe është një produkt mjaft i suksesshëm, që ia solli kthimi në Tiranë. Jetesa e saj mori një tjetër drejtim, teksa  Garo u bë pjesë e medias, dhe kjo me dëshirën e saj. Ajo rrëfen se gjithçka ka sot e ka dashur dhe se ka punuar drejt këtij drejtimi.

“Unë mendoj që ne duhet të jemi pozitiv dhe të përcjellim pozitivitet, madje dhe nga të këqijat e mundshme që ndodhin të marrin anën pozitive dhe me shumë siguri gjerat do të ishin ndryshe për të gjithë. Unë jam kjo që jam pasi kam kërkuar nga vetja që të isha kjo. Për disa gjëra kam punuar që të ndodhin dhe disa të tjera i kam lënë të ndodhin”, tha ajo. Por, si e përjetoi kthimin në Shqipëri modetaratorja e ëmbël. “Kthimi në Shqipëri është një punë më vetë për mua. Unë u rrita në New York dhe kisha një tjetër perceptim dhe mentalitet. Këtu erdha dhe dëgjoja mos e bëj këtë, mos e bëj atë. Kur vendosa të jem pjesë e medias shumë të njohur nuk ma sugjeruan që unë të isha pjesë e botës së medias, por unë jam pjesë e saj sot”, thotë Garo.

Garo dhe media

“Të jesh person publik ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ti je gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe kjo ndonjëherë është disi e çuditshme. Edhe lajmi i publikuar së fundmi… u habita kur lexova që unë mund të isha deputete apo që mund të më ishte propozuar. Gjë që nuk ka ndodhur… më bëri të mendoj se si do dukesha në politikë në një moment (qesh). Por të jem edhe pjesë e një platforme si “Jo vetëm mode” për mua ka shumë rëndësi e kam dashur që në fillim kur erdhi si projekt. Unë gjithmonë kam dashur të jem ndryshe dhe të bëja diçka ndryshe “, tha Floriana.

Floriana dhe familja

Raportet me familjarët janë të mira dhe secili respekton jetën e tjetrit. Ashtu siç e ka thënë më herët Garo e thekson sërish se nipin e saj e do fort. “Prindërit e mi jetojnë në Florida, vëllai në Shqipëri dhe është i martuar. Kam një nip që e dua shumë. Flasim dhe jemi të lidhur me njëri-tjetrin por njëkohësisht respektojmë punët dhe jetët e njeri-tjetrit”, përfundon ajo.

Floriana, udhëtimet dhe librat

Ajo rrëfen dëshirën e madhe që ka për udhëtimet dhe librat. Duket sikur këto të dyja për të gjejnë një pikë takimi e mund të themi se Floriana është nga ato femra që disa vende të cilat i ka lexuar në libra dhe që i kanë lënë përshtypje të thella, ajo mundet  t’i vizitojë ato në realitet. “Udhëtimet për mua kanë nisur qysh herët, pra përpara se unë të isha moderatore e programit. Fakti që isha në ekipin e Teutës dhe isha me vajza më të mëdha në moshë bënte që të ishim në vende të ndryshme për shkak të ndeshjes. Por mund të them se në moshën 9 vjeçare unë kam udhëtuar drejt Budapestit me familjen time. Edhe gjatë kohës që isha në Amerikë me kursimet nga puna si kameriere unë bëja udhëtime të ndryshme si në Karaibe apo vende të tjera. Edhe sot për efekt të emisionit unë udhëtoj, por kam edhe udhëtime që i bëj personalisht. Të fundit që më kanë pëlqyer ishin në Indonezi, saktësisht kemi qëndruar në Bali.

Më bëri përshtypje se e gjitha ishte xhungël dhe se aty jetonin evropiane, francez, amerikanë, pra të huaj, por që ishin përshtatur jetesës së një indoneziani. Pastaj kemi shkuar edhe në Singapor, vend shumë i zhvilluar”, tha ajo. Floriana në një farë mënyre tha edhe një përgjigje se përse Vip-at  frekuentojnë plazhet e Maldives. “Në Maldive është shumë bukur. Nëse do të relaksohesh nga çdo gjë duhet të shkosh atje. Është një vend shumë romantik dhe kryesisht frekuentohet nga çiftet dhe të tillë kishte shumë. Kush ka mundësinë është mirë të shkojë pasi është një vend i bukur, uji është i kristaltë dhe gjatë zhytjeve arrin të shohësh peshq pa fund”, tha Garo.

Kjo e fundit është nga ato vajza që ëndrrat i bën realitet. Ajo tregon se udhëtimi në Indonezi është i ngjashëm me një udhëtim që e ka lexuar në një libër. “Është i ngjashëm me një libër që unë e kam lexuar shumë e herët, përveçse personazhi kryesor në libër në një vend dashurohet dhe në bën lutjen, unë mund të them se qëndrova një nga vendet e personazhit dhe isha bashkë me dashurinë time. Ndërsa libri im i preferuar mbetet “ Fuqia e së tashmes””, rrëfen Garo.

Të 30-at e gjejnë Florianën me dashuri të re por …

Ajo është një vajzë që nuk mund t’i mohohet dashuria. E mesa duket një tjetër dashuri ka trokitur tek 29-vjeçarja. Ajo nuk dëshiron që të komentojë dhe të japë detaje më shumë rreth marrëdhënies së re, por ka pohuar për “Shekulli” se është duke jetuar një tjetër dashuri.  Ajo rrëfen ndër të tjerat se të 20 për të kanë qenë vite të mbushura plot me momente të bukura. “Të 20 për mua kanë qenë shumë të bukura, në muajin shkurt unë bëj 30. E vetmja gjë që unë më parë e kisha menduar që mund të më ndodhte para të 30-ve ishte pasja e një fëmijë. Por që ka kohë edhe për këtë pas të 30-ve (qesh)”, thotë Garo.

(Kosova Sot)

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!