Ngjarje e vërtetë:PËRVOJA IME E HIDHUR ME TË DASHURIN BIZAR (1)

0
Ndaje:

– Ai tipi afër banakut nuk ta ndanë shikimin. Më duhet të pranoj se nuk duket aspak keq – më tha shoqja më e mirë, Dilja, duke ma bërë me sy, derisa ishim duke vallëzuar me ritëm të muzikës. – Çka? Cili tip? – thashë duke shikuar prapa. – Violeta! Ndonjëherë do të ishte mirë sikur të ishe më diskrete – më qortoi Dilja derisa unë analizoja njerëzit e ulur afër banakut. Vëmendjen ma tërhoqi një djalë i pashëm, leshverdhë, i cili më buzëqeshi. Kurrë nuk isha aq e turpshme, prandaj ia ktheva edhe unë me buzëqeshje. – Çka të bëj kur jam kaq kureshtare. Për fat të mirë, më duket se nuk jam e vetmja – qesha me shqetësimin e Diles, derisa vazhdoja që ta shikoja djalin e panjohur, të pashëm. – Shoqe e dashur, mendoj se ndonjëherë me të vërtetë duhet të relaksohemi. Ja, edhe sonte, sikur të mos isha unë, do të rrinim në shtëpi, duke e shikuar ndonjë film pa lidhje. A nuk është kështu? – i thashë duke e ngacmuar, e ajo vetëm i rrudhi supet. – Ndoshta ke të drejtë. Por, çka të bëj kur jam e tillë – tha me turp. – Hajde, të ulemi paksa. Dibrani sa nuk ka ardhur – më tha duke u kthyer, e unë fillova të shikoja andej-këndej. Edhe pse më me dëshirë do të vazhdoja të vallëzoja, sesa të rrija me Dibranin e mërzitshëm, nuk kisha zgjidhje tjetër, pos të shkoja prapa tij. Kushëriri i Diles, përpos që ishte qyqani më i madh në fakultet, vazhdimisht fliste për kompjuterë, gjë që më nervozonte pa masë. Përpos kësaj, ai ishte si rriqër. Asnjë mbrëmje që dilnim, nuk mund e të mos vinte ai. Heshta vetëm për shkak të Diles. Ajo ishte një cimere çfarë vetëm mund të ëndërrohet dhe e dija sesa do ta lëndoja sikur ajo të mund të m’i lexonte mendimet këto qaste. Përpos kësaj, Dilja ishte studente shembullore dhe më ndihmonte në mësime sa herë që kisha nevojë. – Ah, po, Dibrani, mrekulli! – thashë duke aktruar, pasi që përfundimisht arritëm deri te tavolina. Nuk më ikte fakti që ai djali i panjohur vazhdonte që ta përcillte me kujdes çdo hap timin. Sa për ndryshim, vendosa që ta injoroja paksa. Për dallim nga shoqja ime, unë kisha goxha përvojë me meshkujt dhe e dija se kjo gjithmonë bënte punë. Nuk gabova. Nuk kaluan as dy minuta, e pas shpinës dëgjova një zë të këndshëm mashkulli. – Mirëmbrëma zonjusha. Shpresoj të mos ju pengoj. Unë jam Burimi. A më lejoni t’ju qeras me nga një pije? – pyeti me mirësjellje. Pasi që u ktheva, ndesha në shikimin depërtues të syve të tij tepër të bukur, të errët. Ashtu i gjatë, leshverdhë dhe lëkurëzi, m’i mori mendtë. Edhe pse kjo nuk më ngjante shpesh, në ato momente sikur m’u mor goja. – Po, natyrisht. Vetëm urdhëroni. Unë jam Violeta, e kjo është shoqja ime, Dilja – belbëzova, derisa zemra më rrihte si e marrë. – Më vjen mirë. Por, si bëhet kështu që dy zonjusha kaq të bukura, të rrinë vetëm? – pyeti duke më fiksuar me shikim, gjë që bëri të skuqesha.”Budallaqe, pusho”! – e qortova veten vetë me vete. Pasi që porositëm pijet, Burimi mu ofrua disi me diskreci. – Violeta, ky fustan po rri për mrekulli. Sonte thjesht, më bëre për vete – më pëshpëriti te veshi. Nga afërsia e tij trupi m’u rrëqeth. Përpos kësaj, ai mbante erë të mirë, në çka jam tepër e dobët. O Zot, çka është duke më ndodhur, mendova duke u shkrirë nga lezeti. Nuk kishte dyshim. Burimi më tërhiqte më shumë se ndonjë mashkull tjetër deri më tani. (vijon)

 

(Kosova Sot)

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!