Politikanët e shantazhuar e degraduan dialogun

0
Ndaje:

PROCESI I BRUKSELIT SOLLI TELASHE TË REJA PËR KOSOVËN

Koncesionet u bënë në favor të Serbisë

“Në dialogun e Brukselit, nomenklatura e BE-së jo vetëm që nuk i ka respektuar dhe marr asnjëherë seriozisht politikanët servilë kosovarë, por gjithnjë i ka shantazhuar për shkak të aferave korruptive dhe kriminale, që iu kanë rënduar dhe iu rëndojnë mbi qafë edhe aktualisht”, u shpreh analisti Florim Zeqaj

Pas konstituimit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve të reja të Kosovës, tanimë është çështje ditësh se kur do të vazhdojnë bisedimet me palën serbe të mbetura pezull, e që sipas propozimit të presidentit Thaçi, duhet të vazhdohen nga një grup i unitetit. Mirëpo, analistët politikë dhe njohësit e afërt të këtyre zhvillimeve konsiderojnë se derisa politika e deritanishme e ka degraduar seriozisht dialogun me Serbinë, duke u sjellë skajshmërisht si politikë e nënshtruar, ajo që ishte gjer më tani në pushtet, që e ka ndihmuar shumë Serbinë në rrugën e integrimeve evropiane, nuk do të mundë t’i riparojë ato dëme pavarësisht riformatimeve që do bëhen në këtë proces. Këto pasoja do të mbeten për shkak se liderët e Kosovës nuk po merren seriozisht nga nomenklatura e BE-së, por gjithmonë i kanë shantazhuar politikanët tanë për shkak të aferave dhe inkriminimit të tyre në krimin e organizuar, që ata i kanë pasur dhe i kanë aktualisht. Tani, derisa pritet që në këtë proces rol kryesor të ketë presidenti i vendit Thaçi, e njëjta gjë e vazhdimit të atij degradimi ka rrezik të thellohet, edhe pse e kemi qeverisjen e formatit të ri Haradinaj. Analisti politik, Florim Zeqa ka thënë se dialogu me Serbinë në Bruksel, i udhëhequr me politikanë të nënshtruar, e ka degraduar keq shtetësinë e Kosovës dhe tkurrur sovranitetin politik, ekonomik dhe territorial të Republikës së Kosovës. “Në dialogun e Brukselit, nomenklatura e BE-së jo vetëm që nuk i ka respektuar dhe marr asnjëherë seriozisht politikanët servilë kosovarë, gjithnjë i ka shantazhuar për shkak të aferave korruptive dhe kriminale që iu kanë rënduar dhe iu rëndojnë mbi qafë edhe aktualisht. Edhe nën qeverisjen e Haradinajt nuk pritet të ndodhë gjë e re dhe as të ndërrojë qasja e dialogut me Serbinë, shkaku i rolit të inferior në këtë dialog si pasojë e “ngritjes” së dialogut në nivel presidentësh”, u shpreh Zeqaj për “Kosova Sot”

Procesi u neglizhua

Politologu Gurakuq Kuçi thotë se tani e kemi këtë situatë nga vetë fakti që Kosova nuk ka një diplomaci të konsoliduar strategjike, më shumë ka synime afatshkurtra, që kur vjen çështja tek një anëtarësim punojnë vetëm një apo dy muaj përpara dhe atë vetëm 2 apo 3 njerëz. “Andaj, edhe dialogu me Serbinë nuk ka qenë një proces strategjik për Kosovën, përderisa për Serbinë po. Neglizhimi dhe paaftësia për të kapur rëndësinë e strategjisë, por e vetëm taktikave ‘ad hoc’ ka bërë që në shumë raste të jemi humbës apo pa ndonjë përfitim konkret, sepse përderisa Serbia nga dialogu me Kosovën ka përfituar nga BE-ja, Kosova ka pasur edhe koncesionet e dialogut si barrë së bashku me shumë koncesione dhe kritere nga BE-ja”, theksoi ai. “Qeveria ‘Haradinaj’ duhet të shpëtohet tani çka ka mbetur për t’u shpëtuar, dhe duhet t’i rregullojë anomalitë, është akoma herët të jepen vlerësime për Qeverinë e re, por patjetër që qasja duhet të ndryshojë dhe të hapen debate për ballafaqim argumentesh, dhe jo monopole mendimesh. Ne jemi shtet dhe kemi institucionet, nuk kemi nevojë për grupe jashtëinstitucionale, kemi nevojë për konstruktivitet, ballafaqim idesh, kohezion, strategji dhe marrje parasysh të këtyre debateve”, tha politologu Kuçi për “Kosova Sot”

Liderët u nënshtruan

Analisti Hidajet Ahmeti thotë se kthesa kryesore që duhet të bëhet në fillimin e vazhdimit të dialogut, është që dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet me një nivel të barabartë në mes dy shteteve të barabarta, të pavarura e sovrane, e jo dialogu të jetë nën agjendën dhe ombrellën e shtetit serb. “Kjo logjikë e zhvillimit të dialogut ka prodhuar një ndasi më të madhe jo vetëm ndaj dy shteteve pretendente për në strukturat euroatlanike, por një ndasi edhe më të madhe ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë, e veçanërisht në mes komunitetit serb dhe shqiptar. BE-ja, si ndërmjetëse e dialogut Kosovë- Serbi, duhet të jetë më konstruktive, pasi qasja e tillë në dialog nuk prodhon një shpresë afatgjate, e cila do të reflektonte pozitivisht për avancimin e Kosovës në rrugën euro-atlantike. Gjykoj se Kosova duhet të hartojë një strategji afatgjate për dialogun e jo të vazhdojë një dialog pa strategji e në dëm të Republikës së Kosovës e duke afruar Serbinë drejt BE-së”, tha Hidajet Ahmeti. Sipas tij, puna e heshtjes, nënshtrimit e servilizimit të politikanëve në kontekst të mbrojtjes së interesave qytetare, shtetërore e kombëtare në raport me ndërkombë- tarët lidhet me amnistimin e veprave kriminale që kanë kryer për më shumë se një dekadë. “Kjo heshtje e pasinqertë për të amnistuar veten nga krimet e pasluftës ndërton një frymë, e cila nuk përkthehet në interes të trupit publik. Politikanët e shantazhuar të pasluftës, e posaçërisht ata që kanë shijuar pushtetin sadopak nuk kanë guximin, vullnetin, por as dijen e mjaftueshme për të ngritur çështje të niveleve të larta, të cilat janë mohuar shqiptarëve për shekuj . Është fakt i pamohueshme që e ka dëshmuar koha, se politikanët e sojit Thaçi,Veseli, Mustafa e Haradinaj nuk kanë guximin e as vullnetin për t’i hapur temat, të cilat kanë një të vërtetë historike në anën e shqiptarëve”, ka thënë për “Kosova Sot” Hidajet Ahmeti.

Nevojitet konsensus politik

Sipas analistit Ali Hertica, riparimi i politikës kosovare në këtë pikë të dështuar dhe dëmtuar rëndë deri më tani do të jetë një betejë e humbur edhe për kryeministrin Haradinaj. “Nuk shoh që Qeveria ‘Haradinaj’ mund të avancojë dialogun pa një qasje të re të konsensusit politik brenda Kuvendit të Kosovës, pa një platformë më të konsoliduar dhe të përbashkët me subjektet e tjera politike, sepse liderët politikë kosovarë nuk po e marrin këtë çështje si serioze, prandaj edhe vendi mbetet akoma larg perspektivës integruese edhe në organizatat ndërkombëtare, nismat rajonale, për shkak të politikanëve të pasinqertë dhe kryesisht të shantazhuar. Kjo do të thotë që tash për tash nuk shoh as shthurje të këtyre kushtëzimeve që kanë të bëjnë me gjithçka të vënë si kushte nga faktori ndërkombëtar, sepse mekanizmi i shtetit ligjor është thellë i inkriminuar”, potencoi ai. “Nuk pres pra që as në qeverisjen Haradinaj të mund të ndodhë ndonjë ndryshim sa i takon ndonjë kthese të madhe në dialogun e degraduar kaq thellë, që është bërë me Serbinë nga politika e papërgjegjshme. E them këtë me bindje të plotë, sepse tani është bërë e qartë se, pavarësisht ndryshimeve në qeverisje, kushti i vetëm nga ky dialog mbetet dhe duhet të plotësohet, e ky ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin”, tha Ali Hertica.

Detyrë e rëndë për Qeverinë

Analisti Skënder Mulliqi thotë se pikërisht në këtë fushë të obligimeve që ka shteti i Kosovës, Qeverinë “Haradinaj” e presin detyra dhe momente shumë të vështira, pasi ai vetë sa ishte në opozitë ka konstatuar se ka qenë forma nënshtruese e dialogimit që ka bërë që Serbia të afrohet gjithnjë e më shumë nga struktura e BE-së, e Kosova të mbetet vendi më i izoluar në Evropë . “Gjatë bisedimeve maratonike me Serbinë pak gjë e hairit doli karshi Kosovës dhe të ardhmes së saj, me këtë elitë politike përfituese e të mirave materiale .Qeverinë ‘Haradinaj’ e presin shumë detyra të vështira dhe vështirë të realizueshme, sepse janë grumbulluar shumë probleme të natyrës politike dhe ekonomike ekzistenciale. Shteti nuk ndërtohet duke e plaçkitur secilën ditë e më shumë”, theksoi ai. “Mirëqenia dhe zhvillimi i gjithmbarshëm arrihet duke i avancuar proceset demokratike, duke punuar çdo orë dhe çdo ditë ndershmërisht për shtet. Kosova pa u larguar të gjithë të inkriminuarit në dukuri negative, nuk ka mundësi zhvillimi dhe shumë larg do të jetë dita e inkuadrimit të saj në strukturat relevante evropiane”, potencoi Skënder Mulliqi.

(Kosova Sot)

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!