PRETENI: PROKURORËT MERREN ME VETVETEN, ATA JANË AKTIVË VETËM NËSE GODITEN PERSONALISHT…

0
Ndaje:

Të pashpresë e sheh perspektivën evropiane të Kosovës, me këtë nivel të sistemit të sundimit të ligjit edhe Hasan Preteni, ish-shef i Agjencisë Antikorrupsion, tani drejtor ekzekutiv i Qendrës për Etikë, Transparencë. Ai thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është jofunksional, se janë të kota raportimet se po lëviz pozitivisht ky segment. “Kjo është demagogji dhe hipokrizi. Që nga pas lufta deri në “pavarësi” politika korruptohej duke u mbrojtur nën paravanin e statusit politik të vendit. Pas shtetëzimit tani po shpiken tema kinse me prioritet, jo njohjet ndërkombëtare, jo Asociacioni, Demarkacioni dhe tema të tjera, të cilat nuk duan t’i zgjidhin, por të cilat i ruajnë si paravan për të vepruar në gllabërimin e vendit. Tashmë tre vjet qytetari “ushqehet” me Demarkacion dhe Asociacion, por politika, edhe pse janë të vetëdijshëm se duhet realizuar që të dyja pa asnjë ndryshim, ata këtë krizë artificiale e shfrytëzuan për t’u pasuruar edhe më shumë, kurse edhe organet e drejtësisë, duke monitoruar dhe heshtazi duke u pasuruar”, tha Preteni për “Kosova Sot”. Ai madje identifikon konkretisht edhe atë se cilat janë këtu problemet kryesore reale:”Prokurorët merren me vetveten,ata janë aktivë vetëm nëse goditen personalisht, gjyqtarët i kanë dënimet blanko, të gjitha dënimet me kusht vetëm i ndërrojnë emrat,kurse aktorët e këtyre dy mekanizmave punojnë pa norma, pa pasur nevojë për llogaridhënie dhe pa fije transparence. Pasurohen duke i shërbyer krimit, duke përkthyer materiale profesionale ( kontrata nga projektet ndërkombëtare) shkruajnë komente, ligjërojnë nëpër fakultete-universitete private dhe angazhime të tjera, të gjitha me lekë dhe gjatë orarit të punës”,tha Preteni për “Kosova Sot”. Sipas Pretenit, vetëm një model VETTING-u si në Shqipëri zgjidh nyjën e këtij problemi.

(Kosova Sot)

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!