Prof. Ass. Dr. Islam Qerimi (LL.M) (Universiteti i Mitrovices “Isa Boletini”) Veprat penale kundër pronës sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit (Vjedhja dhe grabitja)

0
Ndaje:

Sikurse që e drejta moderne – pozitive nuk e barazon të mirën juridike që është rrezikuar të pasurisë me atë të shendetit dhe të jetës së njeriut, pasi qe jeta e njeriut rangohet në nivelin më të lartë të të mirave juridike të mbrojtura në secilen kushtetutë dhe kod penal bashkëkohor, ashtu ishte e definuar parimisht edhe sipas Kanunit te Lekë Dukagjinit (në vazhdim KLD). Prandaj, që në fillim duhet përmendur parimin kanunor, se dëmi sipas Nenit 735 te KLD ka çmim, por jo edhe gjobë. Megjithate duhet permendur rregullen e N 622 KLD –Varianti i Mirdites, e cila thot se: „Dami bje sherr, ruaju damit“, por edhe përkundër kësaj N 625 KLD përcakton se: dami sado i madh që të jet, ka çmim, ene jo pushke. Pushka s’asht për dam“.
E drejta penale zakonore shqiptare mbronte pronen private dhe atë të bashkësisë shoqërore. Krimet kundër pronës ne KLD radhiten në vjedhje, grabitje – pretë dhe dëmtimi.
Definicioni i vjedhjes dhe i grabitjes sipas KLD-së
Vjedhja ndodhte fshehtas e kryer nga cubi, i cili vjedhte me dorën e vet (§ 768 shkronja a.).
Grabitja kuptohej marrja haptazi (ball për ball) me forcë e ndonjë send të huaj, dikujt (§ 768 shkronja h, si dhe § 777 v.).
Vjedhja:
Vjedhja sipas KLD-së ishte vepra penale kryesore e drejtuar kundër pasurisë.
Subjekti kryesor në një vjedhje, sipas Kanunit emërtohej cubi (hajni), si dhe simahorët (bashkëpunëtorët), bukedhënësit (ajo shtëpi ku kishin ngrënë ose kishin marrë bukë hajdutët) si dhe kjori (ai që fshehte mallin e vjedhur dhe vlente thënia: “baras cubi, baras kjori” § 768 shkronja d.).
Sipas objektit të mbrojtur ajo mund të emërtohej si vjedhje e shtëpisë, e vathit të shtepisë, e carranikut, e kosharit të drithit, të thyemit e shtegut të oborrit, të arës, të veshtit, e stanit, e veglave bujqësore etj.
Llojet e vjedhjeve
Vjedhjet ndaheshin në: vjedhjet e thjeshta dhe në vjedhjet e rënda.
Vjedhjet e thjeshta (të rëndomta) konsideroheshin: vjedhja e bagëtisë, e shpezëve, e veglave bujqësore, e bletës etj. Pra, behejj fjale zakonisht për vjedhjet që kryheshin jashtë murit (gardhit) të shtepisë.
Vjedhjet e rënda drejtoheshin kundër pasurisë së personit por të njejtat veprime e atakonin drejtëperdrejtë edhe nderin dhe dinjitetin e personit, familjes, fisit, fshatit ose institucionit të caktuar.
Në vazhdim do të flitet shkurtimisht për vjedhjen e shtëpisë, pasi që konsiderohej si vepër e rëndë penale e vjedhjes. Vjedhja e shtëpisë së huaj, sipas KLD-së definohej si një e keqe e kryer nga cubi (hajni), duke hyrë në shtëpi në mënyrë fshehurazi, të padukshme, ku ai e hap deren me motiv të keq ose i shpon muret, me qëllim që të depertojë brenda për kryerjen e vjedhjes (at Gjecovi, Shtjefën, KLD, fq. 99). (N 715 KLD VM – vjedhje bile edhe nëse s’hyn cubi brenda).
Ne KLD vlente parimi se cdo kasollë apo ndërtesë: një, dy a shumë katëshe që ka vatër dhe qet tym, pa marrë parasysh se a është e varfër apo e pasur shtëpia është e paprekshme.
Sipas mënyrës së kryerjes – vjedhja në shtëpi karakterizohej për këto veprime:
Cubi hynte brenda oborrit pa thirr së pari me emër të zotin e shtëpisë,
Edhe pasi që nuk e shihte (përgjigjej) askush, nuk priste aty ose nuk largohej,
E shtyente apo e qilte derën për të hyrë,
Që vepronte me dashje,
Për të arritur qellimin, që vetes ose personit tjetër t‘i siguroje nje dobi pasurore.
Vjedhja në tentativë
Vjedhja në tentativë nuk ishte e percaktuar decidivisht në KLD-në, por megjitahte kishte raste kur flitej për këtë dukuri kriminale. Kështu p.sh. kur ndokush zihej duke vjedhur bletën, dhe ai pas zbulimit nga pronari, e kishte lëshuar ate, por per shkak te frikes nga kapja apo goditja me arme, e kishte lëshuar me furi, bleta të nesëermen për shkak të prishjes së atmosferës së brendshme, largohej. Gjithashtu, edhe shtazët të cilat ishin të gjetura duhej të mbaheshin haptas dhe të bëhet me dije secili që të informohet i zoti i saj.
Veprimet e zotit të pasurisë në raste in flagranti të cubit
KLD në Nyen 127 paragrafi 912 precizon se po erdh kush me të vjedhë, edhe e shef tuj t’a zberthye derën, e vrave i ke gjakun. Gjithashtu edhe paragrafi 913 kategorikisht e ndalon vrasjen e cubit (hajnit) edhe nëse ai zihet në vendin e kryerjes së krimit, duke e vjedhur tërë tufen e bagëtisë. Në rast se ndodhnin vrasje për këto të mira juridike të mbrojtura, asesi nuk lirohej vrasësi nga gjakmarrja (Ismet, Elezi. E drejta Zakonore Penale Shqiptare, fq. 110).
Edhe tek vjedhja e tufes së bagetisë në male (stane) sipas KLD-se thuhet, “se nëse bariu vriste cubin tuj vjedhë a tuj pretue tufën, gjakun e çonte te shpija e vet, e sa për tufe i mbetej të zotit të saj të interesohet“ (N151 KLD).
Cubi i zbuluar në flagrancë kapej nga i dëmtuari dhe u dorëzohej pleqve, të cilët vepronin në pajtmim me normat e kanunit.
Konsekuencat e krimit të vjedhjes
Parimisht konsekuencat e krimit të vjedhjes ishin dypërnjahja dhe gjoba. Këto veprime të cubit e ngarkonin atë me fajin e thyerjes së shtëpisë së tjetrit e N 136 e 137 KLD i konsideronte vjedhje. Ndëshkimi mund të bëhej në dy mënyra. Ndëshkimi bazik (kompenzues) për këtë vepër të vjedhjes së shtëpisë ishte kompenzimi i dëmit te ajo familje, të ciles i takojnë sendet e humbura pas vizitës së tij kundërkanunore dy për nji. Ndërsa, ndëshkimi i dytë shqiptohej për shkak të nderës së marrun. Ky ndëshkim ishte më i rëndë se i pari dhe mund të kapte shumen prej 500 groshesh gjobe (sa per një vrasje). Pra, kjo vepër mund tëe kryhej edhe me vetem hyerje a thjesht qelje te deres së shtepisë pa ftesë (përgjjgjje) të zotit të saj.
– Sipas KLD-se rregull parimore e zgjidhjes së rasteve nga vepra penale e vjedhjes ishte ndëshkimi i autorit të kësaj vepre në perputhje me 7 paragrafet e Nyes 168 KLD-se, e që kryesisht kërkohej kthimi i vlerës së dyfishtë të sendit apo pasurisë së vjedhur (Dypërnjahja). Pra, sanksionet për vjedhjen e fshehtë, ishin të moderuara. Sanksionet për vjedhje të pasurisë rregulloheshin pra, sipas parimit “dy për një”. “Dy për një” praktikohej si për bagëti të vogla, poashtu edhe për të mëdha si dhe për sendin e vjedhur. Cubit mund t’i kërkohej sidoqoftë një pagesë, e cila mund të shkonte deri në lartësinë e një vrasjeje. “Shpija e thyeme ka 500 grosh gjobë e dy për një të zot“ (nye e 44) – pra e barabartë me një vrasje.
Prandaj, si rrumbullaksim i kësaj që është thënë deri më tani për demin, i cili është shkaktuar nëpërmjet vepres penale të vjedhjes, duhet përmendur rregullin e KLD-së, se “gjaku s’jet për faj, pra gjaku asht i ran fort: ska kanar me e peshue. Pushka lipet e fundit, pse rri vjerr mas krahut. E ka radhen pas tjerave. Burr i fort fal“ (N 212 KLD – VM).
Ndëshkimet më te rënda për veprën penale të vjedhjes sipas KLD-së
Ndeshkimet më të rënda aplikoheshin në këto raste, të cilat konsideroheshin se “nderi është i marrun“ dhe gjoba e caktonte „faqen e zezë“.
– Për vjedhjen e sendit, që i takonte mikut (802 KLD),
– Për vjedhjen e pasurisë së institucioneve fetare,
– Për vjedhjen e teshave të gruas,
– Për vjedhjen e dashit – cjapit me kumbonë (797 KLD), si dhe
– Për vjedhjen e gjelit (sahati i te vorfunit).

Në paragrafin 802 KLD definohej se kush vjedh shpin a strajcen e mikut, kanuja e ka caktuar për gjobë „faqen e zezë“, kështu që ky krim do të ndëshkohej me denimin më të rëndë. Kështu p.sh. bie fjala në N 922 të KLD -së thuhej se “mikun e prem, armët e gruen e dhunueme, kanuja s’i përket“. Prandaj, një ndër ndëshkimet ndaj autorit në këto raste mund të ishte p.sh. leçitja prej kuvendit (N 723 KLD – VM).
Vjedhja grabitçare
Per vjedhjen grabitçare nuk flitet decidivisht ne KLD-ne. Vjedhja grabitçare është më e rrezikshme se vjedhja. Shkalla e rrezikshmëris përcaktohet edhe duke marr parasysh mënyrën e kryerjes së veprës, mjetet me të cilën është rrezikuar apo dëmtuar. Prandaj, themi se edhe pse kjo veper penale nuk definohej ne KLD permenden raste te cilat i takojne deri dikund kesaj kategorie.
Grabitja e preja
Grabitçori sipas KLD-së është aj i cili ballas e me perdhuni i a merr kuej nji gja për ndoi detyrë, (N 768 h) si dhe N 777 KLD– “Udha e Zotit s’paguan gja”,“Udha e madhe, asht udha e zotit”.
778 KLD – Kanuja s’ban qi të trazohet kush në shteg të vet. Udha e madhe s’ia ka ndonjë detyrë kuej. N 780 KLD po u cue kush edhe thei udhen e madhe, tuj i a ndal shtegtarit a kalin a mushkun, magjarin a ndo’i kambe berri, po s’u vran aty per aty – grabitçari bjen në gjobë të katundit mbas randsis së fajit e gjan e grabitun do t’ia kthejë të zotit.
Konsekuencat e krimit të grabitjes
Ne lidhje me grabitjen thuhej se “dami lahet po nderi nuk lahet”. N 781 KLD – Po u çue kush, e vetem prej hamendjet, edhe i grabiti kuej a kal, a mushk, a magjar, e se mbrami i del i padetyre i grabituni, grabitçari bjen në gjobë të katundit për të thyem të udhës së madhe e të zoti’t do t’ja kthej gjan a çmimin e ditëve të humbura.
KLD – Varianti i Mirditës – për këtë situatë të evidentuar nga KLD e at Shtjefën Gjeqovit thoshte se me këto akte cenohet nderi i burrit Neni 119 paragr 4.
Grabitja me forcë kuptohej si cënim i nderit. Cenimi i nderit mund te shpaguhej vetem me derdhje gjaku ose me pajtim pas ndërmjetësimit të “dashamirëve të mirë”. KLD VM N 407 Cënimi i nderit nuk mund të paguhej me kontribute apo sende. Për nderin e marrë nuk kishte dënim. Ai nuk mund të kompenzohej me gjëra, por vetëm me derdhje gjaku ose me pajtim pas ndërmjetësimit të “dashamirve të mirë” (§ 597-600 KLD). Për veprat e tilla kundër nderit dhe dinjitetit të personit sipas KLD-së autorët e tillë mund të denoheshin edhe me djegien e shtëpisë. (I.E. EZPSh, Tiranë, 1983, fq. 237 – 251).
Kishte raste kur personi ndaj të cilit ushtrohej grabitja të vriste grabitësin dhe atëherë i ipej nder e ndihmë katundisht (KLD VM fq. 280). Në këtë rast i paguhej gjaku katundisht këtij personi për nderin e mbrojtur nga grabitçori i vrarë.
Rastet më të rënda të grabitjes
– Grabitja e gruas- cenim i nderit N 601 shkronja d – binte në gjak = 6 qese
– Grabitja e qenit të huej N 394 KLD – VM
– Grabitja publikisht e armës së krahut a të brezit, N 601 shkronja “e”,
Grabitja e armës ndodhte nëse dikush duhej të dorëzonte armën me forcë ose detyrim. Eshtë interesante se kur grabitja (e armës) ndodhte publikisht – kjo trajtohej si turpësim i të grabiturit. Nëkohësisht për atë (që iu ishte grabitur arma) ishte edhe cënim i nderit të tij. Për këtë arsye i ç’nderuari nuk dilte në publik, derisa ai me gjak e lante “poshtërimin e madh” që i ishte bërë.
Preja e grabitjes për qëllime hakmarrjeje –
Preja krijohej nga grabitja. Në rastin e aktit të grabitjes përvetësohej preja e cila mund të ishte një tufë bagëtish në mal, në livadhe ose edhe në shtalla.
Thuhej se “pre për detyrë nuk merret” – nëse ndodhte ky veprim e pretari nuk përgjegjej me kthimin e presë, katundi ose dheu kishin tager me e leçitë”, çmimi ishte 500 grosh gjobë dheut përpos gjasë së zotit.
Përfundim:
Parimisht sipas KLD-së s’lejohej vrasja për vjedhje të thjeshtë, por kjo rregull nuk mund të themi se vlente nganjëherë edhe për vjedhjet e rënda, e sidomos për grabitjet apo edhe rrëmbimet. Pra, vjedhjet e thjeshta ndëshkoheshin sipas rregulles dy për nji, vjedhjet e rënda ndëshkoheshin sipas rregulles dy për nje dhe detyrimin e gjobes ndaj fshatit, ndërsa kur bëhej fjalë për veprat penale të grabitjes ato trajtoheshin si veprat më të rënda penale të drejtuara kundër pronës dhe njëkohsisht edhe nderit e dinjitetit të ndonjë personi, familje, fisi, bajraku apo institucioni fetar. Në këto raste përjashtimisht mund të tolerohej edhe vrasja për mbrojtjen e nderit kundër grabitçorit. Edhe pse mund të krijohej raporti i armiqësisë (hasmërisë) dhe shfaqej mundesia e borgjit të gjakmarrjes, gjaku mund të paguhej në një shumë sa për një vrasje, të cilen e paguante vrasësi – i dëmtuari, familja e tij, apo katundi edhe bajraku, meqë konsiderohej se ky e ka mbrojtur nderin e cenuar nga grabitësi.

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!