Qeveria nuk ka pranuar draft statutin për themelimin e AKS-së

0
Ndaje:
Ekipi Menaxhues për Themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se është duke punuar në hartimin e Draft Statutit të Bashkësisë në përputhje me mandatin që i është besuar nga marrëveshjet e Brukselit, dhe se do ta prezantojë tekstin e draftit në Bruksel siç është parashikuar më parë në bordet e Beogradit dhe Prishtinës për zbatimin, dhe pastaj edhe në dialogun në nivel të lartë.

Ky ekip ka mohuar se Qeveria e Kosovës ka pranuar draft statutin, përcjell KosovaPress.

“Draft statuti nuk është dorëzuar qeverisë në Prishtinë, siç pretendohet nga disa media, por është dërguar vetëm raporti mbi punën tonë deri më tani, dhe përmes Ministrisë përkatëse për pushtetin lokal, qeveria është informuar rregullisht për dinamikën e aktiviteteve tona”, thuhet në kumtesë.

Tutje bëhet e ditur se puna e ekipit bazohet në rezultatet e dialogut të Brukselit dhe në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

“Në punën e mëparshme, ne kemi pasur diskutime me një numër të grupeve profesionale të ekspertëve, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe ministritë përkatëse, dhe si një organ profesional me një mandat dhe kompetencat të përcaktuara në mënyrë të qartë, ne besojmë që çdo përpjekje për politizimin e aktivitetet tona është kundër produktive dhe dëmton procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinë”, thuhet në fund të reagimi dërguar nga ekipi menaxhues i AKS-së./KI

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!