Robert Mueller, prokurori i rreptë që po trondit Shtëpinë e Bardhë

I përshkruar si një person i rreptë dhe metodik, prokurori special Robert Mueller pritet të dorëzojë paditë e para në çështjen ruse, për të cilën po udhëheq një hetim mjaft të ndjeshëm që po trondit Shtëpinë e Bardhë.

Që nga emërimi i tij në muajin maj si prokuror special në hetimin për marrëveshje të mundshme mes stafit të ngushtë të Donald Trump-it dhe Rusisë, Robert Mueller, nuk është prononcuar për asnjë rast, duke preferuar të punojë në fshehtësi me një ekip prej 12 avokatësh, në zyrat në qendër të Uashingtonit, jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë.

I lindur në gushtin e 1944, ish-kreu i FBI nën drejtimin e presidentëve George W. Bush dhe Barack Obama fitoi respektin e republikanëve si dhe demokratëve duke mos hezituar në atë kohë për të kundërshtuar Shtëpinë e Bardhë për praktikat që ai i konsideronte si të paligjshme.

“Robert Mueller mund të mburret për vendosmërinë dhe paanësinë e shfaqur”, komentoi në momentin e emërimit të tij senatori demokrat Richard Blumenthal, një nga kritikët më të ashpër të Donald Trump.

Ai nuk ka asnjë lidhje të njohur me Donald Trump dhe është hetuesi i parë i pavarur që po merret me rastin për ndërhyrje të mundshme ruse në zgjedhjet amerikane me të gjithë pasojat e vendimit.

I emëruar në krye të të plotfuqishmes policisë federale amerikane vetëm një javë përpara sulmeve të 11 shtatorit 2001, Robert Mueller qëndroi në këtë post për një periudhë 12 vjeçare.
Mandati i tij i gjatë u dominua nga çështjet e terrorizmit dhe të inspektimeve. Ai u spikat për një riorganizim në thellësi të FBI në një moment kur agjencia po përballej me kërcënimet për shpërbërje pasi kishte dështuar në parandalimin e sulmeve./Express

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!