Treshja i shkon deri në fund puçit kundër Speciales

0
Ndaje:

Bazuar në qëndrimin e deritanishëm të palëkundur të krerëve të institucioneve të shtetit të Kosovës rreth nismës për ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale, analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë e vazhdimit të këtij skenari edhe në pjesën e parë të muajit janar të këtij viti, duke tentuar rishtas që treshja udhëheqëse e vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, para datës 20 janar të dërgojnë në Kuvend projektligjin, i cili, sipas tyre, do ta shfuqizojë Gjykatën Speciale. Në këtë lojë tani, sipas deputetit Milaim Zeka, këta e kanë futur më të paguarin, tani “multimilionerin “e mafio-oligarkëve dhe mafiopolitikës Baton Haxhiun, që të gjithë së bashku të kërcënojnë të ardhmen e shtetit të Kosovës me këto veprime. Shpresa e vetme e ndalesës së këtij veprimi skandaloz, pasi këtë Gjykatë e kanë miratuar deputetët e mandatit të kaluar nën presionin e presidentit të tanishëm Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit Veseli, sipas analistëve politikë janë ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët janë të njoftuar për skenarin e shfuqizimit të Speciales, e që e ka ideuar dhe ekzekutuar pikërisht i shumëpërfoluri për multispiunim, Baton Haxhiu me Hashim Thaçin dhe tre pushtetarët politikanë të tjerë. Analistët vazhdojnë të theksojnë se tentativa e Hashim Thaçit, e batakçiut Baton Haxhiu, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt ka një qëllim të vetëm, që t’ia fusin flakën këtij vendi, vetëm që të mbajnë pushtetin me çdo kusht, të paprekur dhe me çdo çmim. Gazetari i ka dërguar pyetje Baton Haxhiut, përmes postës elektronike por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Image

Ndërkombëtarët mund ta ndalin nismën ligjore

Analisti politik Hidajet Ahmeti i tha gazetës “Kosova Sot” se i vetëquajturi “krahu i luftës” nuk po zgjedh mjete për të ruajtur, për të mbajtur e për të marrë pushtetin, përmes të cilit po realizojnë ambiciet e tyre të sëmura për pushtet. “Tentimi i trinomit politik dhe bashkë-ndihmësve të tyre për të shfajësuar veten nga krimet ekonomike të pasluftës dhe amnistimin për degradimin politik, ekonomik e social do të mbetet vetëm në tentativë”, u shpreh ai. “Gjykoj se veprimi i tyre famëkeq do të mbetet vetëm brenda diskursit të tyre politik që jemi mësuar të dëgjojmë që nga mbas lufta për temat kruciale për qytetarët, kurse Gjykata Speciale do të funksionalizohet, e cila edhe njëherë do të pastrojë luftën e drejtë nga ata të cilët luftën e konsideruan si mjet për t’i arritur qëllimet e tyre politike dhe ekonomike”, tha analisti Ahmeti për “Kosova Sot”. Ndërsa, politologu Gurakuç Kuçi nuk e përjashton fare mundësinë që gjatë këtij muaji të ketë edhe një përpjekje tjetër të ndryshimit të mandatit të Speciales. “Megjithatë, nuk do të arrihet të shfuqizohet një ligj i tillë, pasi nuk i kanë votat e nevojshme dhe ka një presion nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja që një gjë e tillë të mos ndodhë. Dhe, është shumë e vërtetë që një kauzë e tillë do të digjte të ardhmen e Kosovës po të realizohej dhe nuk duhet të varet fati i një shteti apo kombi për litarin e një grushti njerëzish. Qytetarët e Kosovës nuk kanë pse të brengosen e as të frikë- sohen nga Gjykata Speciale që do t’i sjellë dëme Kosovës, dhe duhet t’u bëhet e qartë se kjo Gjykatë ka ardhur si pasojë që klasa politike e vendit ka krijuar institucione të kapura dhe të paafta që krime të supozuara, vrasje, korrupsion dhe vepra të tjera penale t’i gjykojmë vetë, përderisa vendet e rajonit një gjë të tillë janë duke e bërë me Gjykata të themeluara vetë nën presionin e BE-së”, tha politologu Kuçi për “Kosova Sot”.

Image

Epilogu turpërues për iniciatorët

Kjo lojë e rrezikshme duhet të marrë epilog që të ndalet në gjysmë të rrugës, nga të zgjedhurit e popullit, edhe sipas analistit Skënder Mulliqi, i cili e quan këtë reagim të vonshëm të politikës kosovare. “Pala shqiptare u tregua e papërgatitur karshi kësaj sfide. Me kohë është dashur që Serbia të paditet për gjenocid dhe kjo punë nuk u bë kurrë. Pati disa paralajmërime të vonshme rreth kësaj teme nga presidenti Hashim Thaçi. Kur janë krijuar Dhomat e Specializuara është dashur të kërkohet që Gjykata ta ketë selinë në Kosovë. Krerët e shtetit nuk kërkuan më me ngulmë këtë punë në vitin 2015, e më duket se ka mundur të bëhet. Gjithashtu, ka pasur mundësi që në punën e Gjykatës të përfshihen gjykatës dhe prokurorë shqiptarë, as kjo nuk u bë. Të gjitha kushtet e parashtruara për punën e Gjykatës i kanë pranuar vetë, dhe tash pendimet në këtë drejtim dhe tentimet për shfuqizim të Gjykatës Speciale më duken se janë të vonshme dhe të rrezikshme për të ardhmen e vendit, duke ditur se bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare, të cilën e kemi pranuar vetë”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”. Përfundim të turpshëm të kësaj loje parasheh edhe Blerim Burjani. “Loja politike me Specialen është që të provokohet bashkësia ndërkombëtare mos po ndryshon qëndrim BE-ja dhe SHBA-ja rreth integrimit të Kosovës në BE dhe organizatat ndërkombëtare, ky është një presion që e bën treshja e udhëheqjes së këtij koalicioni qeverisës, dhe tash a do të arrihet gjë në këtë temë nuk dihet. Një gjë dihet që Thaçi e Kadriu dhe mandatari, ky që është, pjesërisht janë të interesuar ta ndryshojnë Ligjin, por jo ta shfuqizojnë plotësisht”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”. Ndërsa sipas politologut Arsim Haziri, presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli, kryeministri Haradinaj, do të dështojnë në tentativën e tyre. “Në këtë rreth nuk konsideroj se do të përfshihet Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe LDK-ja”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, qytetarët duhet të protestojnë kundër kësaj klase të papërgjegjshme politike që e udhëheq Kosovën. Edhe analisti politik Ali Hertica kërkon që politika kosovare të mos bëjë veprime të pamatura që dëmtojnë interesin e shtetit të Kosovës dhe acarojnë raportet me ndërkombëtarët, duke e dërguar vendin në izolim të plotë për interesa individuale. “Politikanët e Kosovës në këtë situatë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të qetë, nuk duhet të nxitohen e të marrin veprime që shkojnë në dëm të interesit të shtetit, ata duhet ta dinë fare mirë së çfarë pasojash mund të sjellin veprimet që mund të ndërmarrin tani, derisa në ditët në vijim shihet një aktivizim i Gjykatës Speciale në Republikën e Kosovës”, theksoi ai për “Kosova Sot”. Gazetari u ka dërguar pyetje përmes postës elektronike ambasadorëve të tri shteteve mike, ambasadorit amerikan, gjerman dhe britanik.

Image

ZEQA: EDHE AMBASADORËT NDËRKOMBËTARË NË KOSOVË E DINË SE KËTË SKENAR E KANË IDEUAR MULTISPIUNI BATON HAXHIU ME HASHIM THAÇIN DHE 3 PUSHTETARËT

Përpjekjen e dytë si tentativë të vazhdimit të së parës, nuk e përjashton as analisti Florim Zeqa. Mirëpo, ai u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit, të zgjedhur nga vota e qytetarit, që të mos bien në gracën e rrezikshme të liderëve politikë, që nuk shohin përtej interesave të tyre personale. “Nëse deputetët e Parlamentit të Kosovës u nënshtrohen verbërisht kryepartiakëve të tyre për ndryshimin e Ligjit për Specialen do ta humbin dinjitetin e tyre dhe besimin në elektorat. Nisma për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nga treshja udhëheqëse e vendit, presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që para datës 20 janar të dërgojnë në Kuvend Projektligjin, i cili do ta shfuqizojë Gjykatën Speciale, do të jetë me pasoja afatgjata për vendin”, u shpreh ai. “Një veprim i tillë e kërcënon seriozisht të ardhmen e shtetit të Kosovës. Këtë fakt e dinë edhe ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë, BE-ja dhe SHBA-ja, skenar të cilin e kanë ideuar pikërisht multispiuni Baton Haxhiu me Hashim Thaçin dhe 3 pushtetarët, politikanët më të fuqishëm. Tentativa e Hashim Thaçit, batakçiut Baton Haxhiu, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, që t’ia fusin flakën këtij vendi, vetëm që të mbajnë pushtetin me çdo kusht, të paprekur , dhe me çdo çmim do të jetë haraçi më i madh që do ta paguajnë qytetarët e këtij vendi në këto 20 vjetët e fundit”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!