Trumpi planifikon tërheqjen e mijëra trupave nga Afganistani

0
Ndaje:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është duke e planifikuar tërheqjen e më shumë se pesë mijë trupave të ushtrisë amerikane nga Afganistani. Kështu kanë raportuar mediet amerikane dhe një zyrtar shtetëror. Kjo po vlerësohet si shenjë e padurimit të presidentit me luftën më të gjatë në të cilën SHBA-ja ka marrë pjesë ndodnjëherë.
Vetëm para disa ditësh, Trumpi vendosi që t’i tërhiqte të gjitha trupat ushtarake nga Siria, vendim i cili besohet se solli edhe dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis, për shkak të dallimeve të mëdha në qëndrime me presidentin. Një zyrtar, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se vendimi është marrë dhe se po diskutohen datat e tërheqjes, që mund të caktohen brenda disa javëve apo muajve.

Mbetet e paqartë se si nëntë mijë trupa amerikane do të mund ta plotësojnë misionin e tyre në Afganistan, përfshirë trajnimin e forcave afgane, këshillimin e tyre në terren dhe kryerjen e sulmeve ajrore kundër talibanëve dhe grupeve tjera militante. Në këto rrethana pritet që misionet e SHBA-së të ndërpriten, duke ua mundësuar talibanëve t’i shtojnë sulmet në Afganistan.

Ish-Sekretari i Mbrojtjes, Mattis, kishte thënë se prania e ushtrisë amerikane në Afganistan duhet të jetë e madhe, në mënyrë që të forcohen përpjekjet për vendosje të paqes. Ai dha dorëheqje pak kohë pas lajmit se Trumpi mund ta urdhërojë dorëheqjen e trupave. SHBA-ja u bë pjesë e luftës në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express./Express

SQARIM: Dritarja.info mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit për mirëkuptim!